Ekspertët: TVSH-ja ime, më tepër argëtues se sa efikas

Dyfish është rritur numri i denoncimeve për mos dhënie të llogarive fiskale. Qytetarët ankohen se pjesë e llogarive nuk po skenohen me aplikacionin TVSH-ja ime. Të tjerët thonë se derisa dikush skenon llogari, të tjerët reketojnë miliona, shkruan REL.

Marketing

Pasi filloi projekti për kthimin e 15% të TVSH-së për qytetarët, numri i denoncimeve për mos dhënien e llogarive fiskale është rritur dy fish. Nga DAP thonë se nga fillimi i këtij muaji kur filloi projekti TVSH-ja ime, ka 156 denoncime për mosdhënie të llogarive fiskale, derisa në korrik të vitit të kaluar ka patur 77. Më tej, për 15 përqind është ulur numri i llogarive të anuluara këtë muaj, në krahasim me muajin e njejtë vitin e kaluar. Pikërisht shndërrimi i qytetarëve në inspektorë të cilët do të insistojnë në dhënien e llogarive fiskale, ishte një nga qëllimet kryesore të projektit.

Konsultanti ekonomik Goran Rafajllovski e vlerëson projektin si argëtues, por asgjë më shumë se kjo. Kjo nuk do të ndikojë në mënyrë drastike në tejkalimin e ekonomisë së zezë, thotë ai.

“Se do të ndihmojë pak, do të ndihmojë, por se në mënyrë drastike do ta ndryshojë situatën jo. Nëse dëshironi të zvogëloni ekonominë e zezë, ka organe kompetente, ka DAP, ka organe inspektuese. Nëse ata kryejnë si duhet detyrat dhe obligimet e tyre në gjithë territorin e Maqedonisë, nëse nuk shtireshim sikur nuk e dimë se kush nuk paguan, atëherë nuk do të kishte nevojë për kësi lloj momente shtesë me të cilat llogaritet sikur po ndihmohet. Nëse organet e inspekcionit do ta kryenin punën si duhet, në mënyrë drastike do të ndryshonte gjendja e TVSH-së në Maqedoni, kur të mos kishte zona të pa kontrolluara apo të mos guxojnë të kontrollohen”, thotë ai.

Ndryshe sipas të dhënave të DAP, nga 28 korriku, aplikacionin TVSH-ja ime e shfrytëzojnë 140 mijë qytetarë. Deri në këtë datë, përmes këtij aplikacioni janë skenuar pothuajse 6,5 milion llogari fiskale me vlerë mbi 53 milion euro. Në ato para është paguar TVSH prej 5,7 milion euro, prej të cilave qytetarëve do tu kthehen mbi 850 mijë euro.