Eksperti i Mjekësisë Ligjore shpjegoi lëndimet që i kishte parë në trupin e Nikolla Sazdovskit, anëtarit të grupit Komitët, që vdiq pas rrahjes nga dy djem të ri nga Shkupi, raporton Tv SHENJA.
Eksperti Zllatko Jankevski tha se ai ka vërejtur lëndime të rënda në kokë dhe trup të Sazdvoskit që sipas të gjitha gjasave janë nga grushtet dhe shqelmat e rënda dhe intensive.
Eksperti shpjegoi se i ndjeri lëndimet i ka marrë nga grushtet e shqelmat e jo nga rënia në trotuar pasi po të kishte rënë në tokë, do dukej shtypja e kokës, ose do të çahej lëkura. Të kishte rënë ashtu do të kishte lëndime edhe në mjekër, vesh ose pjesët e tjera të kokës e jo vetëm në ato pjesë që i ka lëndimet.
Eksperti nga Mjekësia Ligjore ka vërejtur gjithsej gjashtë plagë. Tre në kokë që kishin qenë fatale dhe tre në kraharor dhe bel.
“I ndjeri ishte sjellë pa ndjenja në spital. Me puls shumë të dobët që ishte normalizuar pas reanimacionit. Megjithatë, truri nuk i funksiononte prandaj është vënë në aparate. Plagët në kokë kanë qenë fatale, që kanë shkaktuar vdekjen. Sipas pamjes së tyre janë shkaktuar gjatë sulmit intensiv, goditjeve intensive me grushte dhe shqelma. Dëmtimet e shumta kanë ndodhur për shkak se truri kur goditet lëviz nëpër kafkë dhe shkakton edhe dëmtime të tjera”.
Avokati i familjes së Sazdovskit, Vanço Shehtanski tentoi ta shtyjë ekspertin të kualifikojë sulmin si mizor, edhe pse ai është vetëm një mjek por ndaj kësaj pyetjeje sugjestive reagoi avokati Naser Raufi.