Ekspozita fotografike kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj “Unë jam SHQIPTAR” në organizim të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni më 15 tetor do të hapet në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, objekti “Malla Stanica” – Shkup.
Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ajo gjithashtu përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.