OH ‘El Hilal’, kontribut shkollave të mesme me libra cilësorë

Në bashkëpinim me Shtëpinë botuese “Mladinska knjiga” të R. të Sllovenisë, përfaqësia në Shkup, dje OH El Hilal, vizitoi tre shkolla të mesme, me ç’rast dhuroi gjithsej 90 libra enciklopedik të kualitetit të lartë, siç janë: Fjalori Oxford në anglisht dhe Faktopedia e ilustruar në shqip.
Ky aktivitet paraqet fillimin e projektit të fituar nga kjo shtëpi botuese, me çka 10 shkollave të mesme të vendit dhe studentëve bursistë të El Hilalit, do t’u shpërndahen rreth 500 libra nga titujt e sipërmendur, donacion i “Mladinska knjiga”, që para disa ditëve iu dorëzua Organizatës.
Qëllimi i këtij aksioni, si dhe dëshira e donatorit është që pas tragjedive të përjetuara në vend, në Tetovë dhe në Bullgari, dhimbjet të zbuten dhe njerëzit të kthehen në normalitet nëpërmes leximit, përkatësisht të librave të cilët shërojnë dhe largojnë nga shqetësimet shpirtërore.
Dje kryetari i El Hilalit, Behixhudin Shehapi vizitoi Gjimnazin Kiril Pejçinoviq dhe shkollën Maarif, i shoqëruar nga Ardit Kamberi, kryetari i degës në Tetovë dhe qëndroi në Gjimnazin Zef Lush Marku në Shkup, i shoqëruar nga Talat Sadiku, nënkryetar dhe Irfan Isaku, anëtar i Këshillit drejtues.
Gjatë bisedës me drejtorët Znj.Teuta Llalla, Z.Ali Sedat Asllan dhe Z. Faruk Zeqiri, të cilët e përshëndetën këtë aksion, bashkërisht u konstatua se libra të kësaj cilësie janë më se të nevojshme për bibliotekat e shkollave të mesme dhe se libri asnjëherë nuk mund të ketë alternativë.
Ky aktivitet, ditëve në vijim do të vazhdojë edhe në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Strugë.

Marketing

Marketing