Elezi: Punësimi do të rritet, paga mesatare më e lartë për 5% këtë vit

Punësimi do të vazhdojë të rritet këtë vit, derisa rritja e pagës mesatare neto pritet të jetë për 5% më e lartë, sipas parashikimeve të Ministrisë së financave. Zëvendës ministrja e financave Shiret Elezi duke elaboruar Bilancin përfundimtarë për vitin 2018 në Parlament, ka thënë se lëvizjet e favorshme ekonomike nga viti i kaluar, vazhdojnë fuqishëm edhe këtë vit, kështu që priten dhe rezultate më të mira ekonomike.

Marketing

Elezi tha se në vitin 2018 Bruto prodhimi vendor ka pasur një rritje të shpejtuar prej 2,7%, që është shumë afër parashikimeve të Ministrisë së financave prej 2,8%.
– Në krahasim, parashikimet e vjeshtës të institucioneve tjera relevante lëvizin mes 1,6% dhe 2,5%. Është një konfirmim i qartë për përforcimin e kapaciteteve dhe angazhimin e forcuar nga Ministria e financave. Domethënë, besueshmëria e parashikimeve ekonomike është vendimtare për hartimin e besueshëm të buxhetit dhe për rrjedhojë menaxhimin e besueshëm të politikës fiskale, – tha Elezi.

Zëvendësministrja theksoi se rritja e aktivitetit ekonomik në vitin 2018 është si rezultat i rritjes së konsumit dhe kontributi pozitiv i eksportit neto ndaj rritjes ekonomike. Ajo tha se numri i të punësuarve në vitin 2018 është rritur për 18,4 mijë persona për dallim nga viti 2017.
Për ekzekutimin e Buxhetit të vitit 2018, zëvendësministrja tha se realizimi i të ardhurave ka qenë në pajtim me pritshmëritë, derisa shpenzimet janë kryer rregullisht dhe në kohë.

Gjithsej të ardhurat në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë realizuar në vlerë prej 188,5 miliard denarë dhe të njëjtat janë destinuar për financim të shpenzimeve të realizuara në vlerë prej 200,1 miliard denarë.

Realizimi i të hyrave dhe shpenzimeve në këto shuma rezulton me një deficit buxhetor të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 11,5 miliard denarë, me ç’rast është regjistruar një performancë e ulët në krahasim me të planifikuarën për 6,5 miliard denarë dhe është realizuar në nivelin e 1,8% të BPV-rë – tha Elezi.

Ajo tha se financimin e deficitit buxhetor dhe shërbimin e rregullt të detyrimeve në bazë të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm në vitin 2018, është siguruar nëpërmjet eurobondit dhe kredive të favorshme e linjave kreditore për financimin e projekteve të caktuara, si dhe letrave shtetërore me vlerë. Ndërsa janë shlyer detyrimet në bazë të principalit në vlerë prej 28,12 miliard denarë dhe 7,699 miliard denarë bazuar në pagesat e interesit, duke përfshirë PBG 2 kredinë nga Banka Botërore nga viti 2013 prej 95 milion euro.