​Eliminohet nga Euro, tash merr një tjetër goditje: Guardiola nuk e do më portugezin në Etihad

Mbrojtësi i kombëtares portugeze dhe Manchester Cityt, Joao Cancelo (30), i është ofruar Juventusit dhe Interit.

Marketing

Cancelo ka qenë anëtar i Manchester Cityt që nga viti 2019, por 18 muajt e fundit i kaloi në huazim te Bayern Munich dhe Barcelona.

Menaxheri i Cityt, Pep Guardiola, mesa duket nuk dëshiron ta mbajë portugezin në Etihad, kështu që agjenti i tij Jorge Mendes filloi të kërkojë një destinacion të ri.

La Stampa thekson se Cancelo i është ofruar Juventusit dhe Interit, klube ku ai ka luajtur tashmë.

Ai luajti për Interin në sezonin 2017/18, ndërsa një vit më vonë e kaloi te “Zonja e Vjetër” në Torino. Në total, ai luajti 51 ndeshje në Serie A, duke shënuar dy gola me gjashtë asistime.

Kontrata e tij me Cityn është deri në qershor 2027 dhe “Qytetarët” janë gati ta lënë të shkojë për rreth 25 milionë euro. Ai mbërriti te City nga Juventusi për 30 milionë euro plus mbrojtësin Danilo, që arrin në rreth 65 milionë euro. Cancelo luajti me kombëtaren portugeze në EURO në Gjermani, duke i thënë lamtumirë garës pas humbjes nga Franca në çerekfinale.