“Jemi të befasuar se si mundet që aq lehtë një parti politike të shkatërrojë një marrëveshje dhe të nesërmen të nënshkruajë marrëveshje tjetër”, kështu e ka komentuar deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri hyrjen e Alternativës në Qeveri.
Shtoi, se kjo bëhet edhe më pak e kuptueshme, sepse AAA i bashkohet shumicës parlamentare “më jo efikase dhe më e keqja në 30 vite pluralizëm”.
“Realisht, jemi të befasuar nga veprimi i këtillë i partnerit deritashëm politik”, tha Aziri, transmeton TV21.
Më tej vlerësoi se është gjithashtu “diskutabile edhe motivi” për të cilin u nënshkrua marrëveshja për bashkëqeverisje mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të AAA-së, Afrim Gashi, pasi siç tha, “veprimet e ardhshme do të ndërmerren nga mandatari i ri”.
“Ata janë shumë afër LSDM-së dhe BDI-së. Thash se veprimet e fundit nga ky subjekt politik kanë krijuar hendek shumë të madh mes neve dhe atyre”, tha Aziri teksa përgjigjej se a mund të pritet në të ardhmen bashkëpunim me AAA-në.
Se pse qëndruan të heshtur deri më sot, duke mos komentuar negociatat që zhvilloheshin mes Zaevit dhe Gashi, Aziri tha se “nuk donin që me reagime të tyre të ngjallin debate derisa nuk kishte diçka konkrete”./