Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka njoftuar se ka filluar të vlerësojë të dhënat mbi një dozë përforcuese të vaksinës Pfizer/ Biontech, e cila do të jepet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.
“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (domethënë njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, thuhet në një deklaratë nga EMA.
Sipas Ansa.it, Vlerësimi do të bëhet në bazë të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet brenda javëve të ardhshme.
“Komiteti i EMA-s do të kryejë një rishikim të përshpejtuar të të dhënave duke përfshirë rezultatet e një prove klinike në vazhdim, në të cilën afërsisht 300 të rritur me një sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese prej afërsisht 6 muajsh nga doza e dytë”, thuhet në njoftim, raporton Ora News.