Gjermania tha të martën se mund të marrë disa prej 300 emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe në javët e fundit, por dhjetëra të tjerë, duke përfshirë pesë fëmijë, mbetën të bllokuar në det pa asnjë vend evropian që ofron një port për t’i pritur.
Sea-Watch 3, një anije e drejtuar nga një grup humanitar gjerman, shpëtoi 32 vetë nga një varkë e pasigurt jashtë brigjeve të Libisë më 22 dhjetor dhe një tjetër bamirëse gjermane, Sea-Eye, shpëtoi 17 të tjerë më 29 dhjetor.
Anijet, që mbajnë 49 persona në total, kanë mbetur në brigjet e Maltës për ditë të tëra. Ekipet e anijeve kanë shprehur shqetësimin për gjendjen mentale të emigrantëve, të përkeqësuar nga moti i keq dhe sëmundja e mushkërive.
“Fëmijët, ata janë të sëmurë … dhe nuk po flenë dot gjumë për shkak të valëve. Ne po vdesim ngadalë në këtë vend”, tha Diamond, një njeri nigerian i shpëtuar nga Sea-Watch 3, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij.
Malta, shteti më i vogël i Bashkimit Evropian, po kërkon nga partnerët të marrin disa prej emigrantëve, duke përfshirë edhe 249 persona të tjerë, të cilët janë marrë nga anijet e marinës malteze në javën e fundit të vitit 2018.