Është negativ rezultati për praninë e koronavirusit tek emigranti nga Afganistani, për të cilin dyshohej.
“Analizat e bëra konfirmojnë se Hamit Muhameti (15) emigrant nga Afganistani nuk është i infektuar me koronavirusin.
Djaloshi ishte i izoluar në spitalin në Sarandë, pasi ekzistonte dyshimi për koronavirus”, deklaroi Arjan Kallçuni nga njësia e shëndetit publik në Sarandë.
Televizioni Ora njuz transmeton se djaloshi është transferuar në Klinikën Infektive në Tiranë.
Ai ishte pjesë e një grupi emigrantësh afgan që ishin futur në territorin shqiptar nga Greqia përmes vendkalimit kufitar “Qafë Botë”, ndërsa kishte temperaturë të lartë trupore.
Në konferencën e sotme për shtyp Eugena Tomini drejtuese e sektorit për epidemiologji në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se që nga shpërthimi i epidemisë në Kinë deri mbrëmë janë testuar 18 raste të dyshimta, prej tyre tetë persona të cilët kishin ardhur nga Kina dhe nëntë nga Italia. Të gjithë janë negativë.