Seleksionuesi i reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut në hendboll për femra, Ljubomir Savevski, dje ka publikuar listën e hendbollisteve të ftuar për ndeshjet kontrolluese kundër Turqisë në Ankara me 2 dhe 4 mars të muajit të ardhshëm, në kuadrin e EHF-së.
Nga WHC Çair është ftuar vetëm Teodora Gulicoska, ndërsa nuk ka pasur vend për shqiptaren, kapitenen 23-vjeçare dhe një prej lojtareve më të mira, Leonora Rahmani.
Ajo për mediumin nga Maqedeonia e Veriut, Open-TV, deklaroi se nuk i ka mbetur hatri:
“Nuk e di pse nuk jam e ftuar. Nuk jam unë ajo që duhet ta vlerësojë vetën.
Nuk dua të tingëlloj keq, mirëpo nuk do të dëshiroja të luaja për Maqedoninë, pasi unë e preferoj Kosovën”, deklaroi Leonora Rahmani, e cila luan në pozitën e qendrës.
“Po unë jam me prejardhje nga Kosova, jam nga Marevci i Prishtinës.
Kjo është arsyeja e dëshirës sime.
Unë në vitin 2016 kam qenë pjesë e gjeneratave të reja të Kosovës, mirëpo nuk pata fat që të pajisem me pasaportë dhe nuk arrita.
Por unë nuk ngutem, po pres ditë të mira”, shtoi ajo.
Leonora Rahmani në të kaluarën ka qenë pjesë e KH Istogu nga Kosova për dy vite.