Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), Fatmir Limani ka paralajmëruar investime të reja të kësaj kompanie në TEC “Osllomej”- Kërçovë.
Në intervistën për një televizion lokal në Kërçovë, Limani ka thënë se është planifikuar në dy vitet e ardhshme në kombinatin të investojmë në modernizimin dhe vazhdimin e shekullit të punës në kombinatin me një minierë të re të qymyrit.
“Me këtë projekt rreth një mijë të punësuar do të jenë të sigurt në vendet e tyre të punës”, ka thënë Limani duke shtuar se pastaj do të punohet në përmbushjen e nevojave të ISO standardeve me filtra modern që ekologjikisht ky rajon të jetë më i sigurt.
Për këtë qëllim është paraparë që kompania të ndajë rreth 160 milionë euro, ndërsa siç ka thënë Limani për këtë zgjerim nevojitet koordinim me komunën e Kërçovës.
Ai ka konfirmuar se do të ketë punësime të reja, kryesisht kuadër profesional me fokus të inxhinierëve.
“Shprehim gatishmëri si kompani të vazhdojmë të japim bursa për studentë të suksesshëm të fakulteteve në vend, por edhe projekte tjera në interes të shoqërisë”, ka thënë Limani.
Ai ka shtuar se si kompani janë të gatshëm të respektojnë dhe implemеntojnë ligjin e gjuhëve, me çka nuk pret asnjë problem.
“Është paraparë të punësojmë edhe përkthyes për këtë qëllim, ndërsa në masë të madhe është përmirësuar përfaqësimi etnik dhe adekuat i bashkësive, edhe pse nuk është në nivelin e duhur”, ka thënë ai.