Ende s’ka zgjidhje për 33 artistët e Ansamblit në Shkup

Ende nuk ka zgjidhje për statusin e 33 artistëve në Ansamblin për Këngë dhe Valle Shqiptare të cilëve u kanë skaduar kontratat e punës. Ministria e Financave e cila duhet të deklarohet nëse jep pajtim ndaj kërkesës së Ministrisë së Kulturës për hapjen e konkursit të ri, tanimë disa ditë hesht ndaj pyetjeve të Alsat.

Marketing

Derisa artistët e lënë në rrugë presin nga institucionet që t’i rikthejnë në punë, nuk kanë ndalojnë reagimet për situatën e krijuar.

Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, thekson që me vite po zvarritet miratimi i ligjit të ri për Kulturë, ndërkaq drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj ka pasur mundësi që t’ua vazhdojë kontratat.

“Me vite zvarritet propozim ligji për kulturë. Ka mundur të zgjidhet që në fillim të vitit, por si duket nuk e kanë pa të rrugës ta fusin në rend dite, kanë qenë të “angazhuar”. D.m.th.. drejtori i famshëm ka mundur të ua vazhdojë kontratat të punësuarve në Ansambël dhe me miratimin e ligjit do të transformohej vendi i punës me vendim te përhershëm. Pasojat po i vuajnë ata që s’kanë faj!”, ka shkruar Saranda Imeri Stafai, deputete e koalicionit VLEN.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar drejtori Tolaj, i cili thekson se nëse do t’ua kishte vazhduar kontratat 33 punëtorëve, do të kishte kryer vepër penale.

“Është e vërtetë që është dërguar në Kuvend propozim ligj për kulturë (për vende pune me kohë të pacaktuar) nga Qeveria LSDM – BDI, por ky propozim ligj nuk është miratuar ende! Derisa i njëjti nuk është votuar vazhdimi i kontratave pa ripëlqim nga Ministria e Financave, përbën vepër penale që unë nuk jam i gatshëm ta bëj! Ligji është i përcaktuar qartë dhe asnjë mundësi ligjore për vazhdim kontratash nuk ka pasur, as nuk ka, pa një konkurs të ri, për kontrata pesëvjeçare siç dihet tashmë!”, ka shkruar në një status në Facebook, Shkodran Tolaj, drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare.

Gjatë ditëve të kaluara ka pasur reagime të ashpra për shkak të situatës së krijuar ku 33 të punësuar në këtë institucion kulturor kanë mbetur pa punë. Artistë dhe punëtorë kulture kanë akuzuar drejtorin se po e trajton institucionin si pronë private./ Alsat.mk