“Në lidhje me vlerësimin e bërë potencojmë se në listën e projekteve, këto dy projektet janë vlerësuar si të pamatur mirë, mungon dokumentacioni i plotë për të filluar ndërtimin, përkatësisht është potencuar se për kompletimin e dokumentacionit nevojitën 24 muaj”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Korridoret 8 dhe 10d.
Në këtë rast shtrohet pyetja pse në fund të vitit 2023 u transferuan 200 milion euro, prej të cilave 150 milion euro apo 72 për qind e shpenzimeve totale janë paguar për “Themelim dhe Menaxhim” të projektit. Çfarë u menaxhua me këto 150 milion euro akoma pa filluar ndërtimi dhe pa u zgjidhur shpronësimi i tokave në tërësi? Revizori ka konstatuar se pavarësisht milionave të lëshuar në xhirollogari të Bechtel&Enka, deri në fund të vitit kaluar janë realizuar vetëm 0,12% e ndërtimi, që nënkupton se që në fillim ka devijim nga planifikimi i realizimit të Korridoreve 8 dhe 10d.
“Është kryer vetëm 53 për qind e shpronësimit, ndërsa në 33 për qind ka arritur testimi gjeoteknik. Kjo situatë e realizimit të projektit për korridoret në këtë formë, pa dokumentacion teknik të përgatitur nga ku duhet të përcaktohet vlera e parashikuar, mund të sjell rreziqe të mëdha fiskale dhe ndërlikime në buxhet dhe fondet publike”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Korridoret 8 dhe 10d.
Për shkak se nuk është respektuar FIDIC standardi sipas revizionit dhe është gjetur modeli i modifikuar i FIDIC-ut të kuq, rreziku që mund të buron nga projektimi në këtë rast bie në barrë të punëdhënësit dhe jo të zbatuesit. Për këtë ka dhënë vërejtje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Në raportin e BE-së për vitin 2023 të publikuar në tetor është potencuar se më këtë projekt është rritur shfaqja ndaj rreziqeve dhe komplikimeve fiskale. Raporti është thirrur në vlerësimit e FMN-së dhe për këtë arsye mjetet nga “Linjat e kujdesit” janë anuluar”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Korridoret 8 dhe 10d.
Për shkak se projekti është bazuar në ligj të veçantë dhe pamundëson ndërhyrjen e ligjeve të tjera ndaj fuqisë së dispozitave të këtij ligji dhe mënyra e zgjedhjes së financimit të këtij projekti ekskluzivisht vetëm nga buxheti i shtetit është anashkaluar mundësia për shfrytëzimin e grantave nga burimet e tjera financiare si p.sh. ato nga BE-ja. Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë thirrjes publike për caktimin e operatorit që do të kryente punimet dhe më pas thirrjen publike për mbikëqyrësit e punimeve kishte deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet, projekteve do t’u bëhet rishqyrtim për të vërtetuar dyshimet për shpërdorime të mundshme. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski pas marrjes së detyrës deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve ligjore, ndërsa si ide për të paguar projektin është parashikuar edhe mundësia e marrëveshjes shtesë për financim në faza më afatgjate. Lidhur me shpronësimet, eksponentë të pushtetit tashmë në disa paraqitje kanë deklaruar se ka prova të forta se ish funksionarë dhe familjarë e të afërm të ish pushtetit kanë blerë prona përgjatë trajektores së Korridorit 8 dhe 10d me qëllim që më pas t’i shpronësojnë në vlera shumë më të larta. Jo zyrtarisht për këto indikacione, Prokuroria e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur procedura parahetimore në disa pista dyshimi. /Alsat.mk