Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, eurodeputetja Monika Macovei ka reaguar ashpër ndaj deputetëve demokratë të cilët bojkotuan mbledhjen e komitetit për shkak se nuk u pranua kërkesa e Genc Pollos për të shkarkuar Taulant Ballën si bashkëkryetar i delegacionit shqiptar në PE.
“Ka ikur koha kur një grup mbështet një parti simotër, çfarëdo që të bëjë. Pra, partitë në Parlament nuk mbështesin parti të tjera, qoftë edhe nga vende të BE-së, kur ato bëjnë gabime, kur bojkotojnë Parlamentin apo gjëra që shkelin vlerat europiane. Sot ne pamë gjëra të kundërta. Flasim për dialog politik konstruktiv. Ku është? Përse të largohesh që në fillim, ndërkohë që ke një deklaratë të përgatitur paraprakisht. Pra, ata erdhën këtu në Bruksel me paratë e qytetarëve shqiptarë të hanë një drekë të mirë dhe më pas të largohen dhe jo të kontribuojnë për popullin shqiptar. Këtu ne po diskutojmë të ardhmen europiane të popullit shqiptar”, – tha ajo.
“Parlamenti Europian është një avokat i fortë i Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Ne jemi të kënaqur të vëmë re progresin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe lidhur me gjyqësorin, në mënyrë të veçantë për procesin e Vetingut dhe të tjera. Janë gjëra me të cilat jo çdo gjë po shkon mirë, por do të diskutojmë”, – theksoi Macovei.