Erdogan: Asnjë arsye pse procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE po bllokohet prej vitesh

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të Turqisë po bllokohet prej vitesh, duke theksuar se përfshirja e plotë e Turqisë në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës.

Marketing

Erdogan mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në Budapest.

Ai tha se përfshirja e plotë e Turqisë në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës.

“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të një vendi kandidat i BE-së si Turqia, që jep kontribute të rëndësishme, po bllokohet prej vitesh”, theksoi presidenti turk.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Erdogan tha se “negativitetet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë po thellohen dita-ditës. Zgjatja e luftës i lë gjithnjë e më pak hapësirë ​​diplomacisë”.

Ai tha se javët e kaluara ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa para tij ka pritur në takim kryediplomatin ukrainas, Andrii Sybiha.

“Ua përcolla mesazhin se duhet t’i japim hapësirë diplomacisë”, tha Erdogan.

Erdogan foli edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme.

“Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i njerëzimit. Kësaj i shtohen edhe sulmet e pamoralshme dhe ilegale në Bregun Perëndimor dhe Liban”, tha Erdogan duke shtuar se ”ata që mbështesin pa kushte agresionin e Izraelit, duhet ta dinë se janë bërë bashkëfajtorë në krimet e kryera”.

Presidenti turk foli edhe për luftën kundër organizatave terroriste.

“Duam të shohim bashkëpunim konkret nga partnerët tanë evropianë në luftën kundër organizatës terroriste PKK”, tha ai duke shtuar se ”presim që të plotësohen kërkesat tona për bashkëpunim gjyqësor dhe administrativ nga vendet evropiane, ku FETO ka prezencë aktive”.

Ai theksoi se është përgjegjësi e të gjithëve që të luftojnë kundër terrorizmit në bashkëpunim dhe solidaritet, pa bërë asnjë dallim mes organizatave terroriste.

Marketing