Erdogan: Deri në prill planifikojmë të vëmë në zbatim vaksinën COVID-19

Presidenti i Turqisë dhe kryetari i Përgjithshëm i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Recep Tayyip Erdogan në lidhje me vaksinën e Turqisë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) tha se “planifikojmë që deri në prill ta vëmë në zbatim”.

Marketing

Erdogan gjatë mbledhjes së partisë së tij AK Parti në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) në Ankara duke vlerësuar punimet për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19 të vendeve të tjera, shtoi se janë duke ndjekur nga afër të gjithë vaksinat e zhvilluara në Kinë, Rusi, Amerikë dhe Evropë.

“Deri nga fundi i muajit të ardhshëm shpresojmë të jemi në gjendje të bëjmë aplikimet e para në vaksinë. Deri në prill planifikojmë që vaksinën që jemi duke e zhvilluar ta sjellim në nivelin e zbatimit”, u shpreh Erdogan duke bërë thirrje që studimet e vaksinës të mos flijohen për ambicie politike ose tregtare, por të jenë pronë e përbashkët e mbarë njerëzimit.

“Një sistem që nuk i shërben njerëzimit nuk ka shanse për sukses”

Presidenti turk gjatë fjalimit të tij u përqendrua edhe në Samitin e Liderëve të G-20 Riad.

“Një sistem që nuk i shërben njerëzimit, nuk i jep qetësi, mirëqenie dhe vlerë, që nuk vendos drejtësi dhe siguri nuk ka shanse për sukses. Arkitektura ekonomike globale aktuale, bazuar në ambicie, dominim, padrejtësi dhe rentë, nuk mund të mbrojë as njeriun dhe as natyrën”, tha presidenti Erdogan.

Erdogan gjithashtu vuri në duke se do të ishte një qasje e cekët që numri i afro 1,5 milionëve të vdekjeve në të gjithë botën të lidhen vetëm me efektin vdekjeprurës të virusit.

“Struktura e deformuar e sistemit global, e cila prodhon probleme në vend të zgjidhjeve dhe që i thellon problemet, gjithashtu kontribuon në formimin e kësaj pamje të tmerrshme”, tha ai.

Presidenti Erdogan gjithashtu komentoi edhe zhvillimet e fundit në lidhje me Malësinë e Karabakut.

“Falë mbështetjes së vendit tonë ka përfunduar pushtimi armen në Karabak, që është tokë e Azerbajxhanit. Shpresat për një zgjidhje të përhershme u rritën për herë të parë”, u shpreh presidenti.

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, kurse përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator. Që atëherë, Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tri marrëveshje të armëpushimit humanitar.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan marrëveshjen për një zgjidhje afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit tredekadësh.

Sipas marrëveshjes, është paraparë një armëpushim i plotë dhe përfundim i luftimeve që zgjatën më shumë se 6 javë. Gjatë kësaj periudhe, Azerbajxhani çliroi pothuajse 300 vendbanime të okupuara, përfshirë qytetin strategjik Shusha.

“Po fillojmë një mobilizim të ri të investimeve”

Erdogan mes tjerash foli edhe në lidhje me zhvillimet ekonomike në Turqi.

“Ne po fillojmë një mobilizim të ri të investimeve, prodhimit, eksportit, punësimit në ekonomi. Pas bisedimeve të buxhetit ne do të zbatojmë një nga një reformat gjithëpërfshirëse në këtë drejtim”, tha Erdogan në lidhje me masat e fundit të marrë për ekonominë e vendit.

Së fundmi, vendi zëvendësoi kreun e Bankës Qendrore dhe emëroi një ministër të ri të Thesarit dhe Financave.