Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i kërkoi sot Gjermanisë që të ekstradojë mbështetësit e klerikut Fetullah Gylen, dikur aleat i tij, por që tashmë fajësohet nga Turqia për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016. Duke folur në Berlin, ku u takua me kancelaren Angela Merkel, Erdoan tha se gjermania duhet t’i konsiderojë ndjekësit e Gylen si terroristë.
Kancelarja Merkel u shpreh se Gjermania ka nevojë për më shumë prova kundër këtij grupi. Ajo gjithashtu i kërkoi Turqisë që të zgjidhë sa më shpejt çështjet e qytetarëve gjermanë të ndaluar në Turqi. Erdoan po zhvillon një vizitë tre ditore në Gjermani në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatin e tij të NATO-së, të cilat janë përkeqësuar që nga grushti i dështuar të shtetit të vitit 2016 dhe masat që pasuan atë në Turqi.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP, pavarësisht ndasive për çështje që kanë lidhje me të drejtat e njeriut, fatin e shtetasve gjermane apo të atyre me dy nënshtetësi që janë ndaluar në Turqi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti Turk Rexhep Taip Erdoan u zotuan për rindërtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Aktualisht Turqia po përjeton një pështjellim ekonomik, të përkeqësuar nga sanksionet amerikane.