Erdogan mbron Ozilin, në prag të udhëtimit në Gjermani

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i doli në mbrojtje Mesut Ozilit, futbollist gjerman, me rrënjë turke, i cili është përballur me kritika për shkak të daljes në fotografi me Erdoganin
.
Ozil, 29 vjeç, është tërhequr nga kombëtarja gjermane në muajin korrik, për shkak të, siç ka thënë, “racizmit dhe mosrespektit” ndaj tij, në lidhje me fotografinë.

Marketing

“A duhemi ne të linçojmë një lojtar gjerman, i cili luan në vendin tonë, nëse ai del në fotografi me [kancelaren gjermane, Angela] Merkel”, pyeti Erdogan.

Ai do të vizitojë Gjermaninë këtë javë, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara.

Në mars të vitit të kaluar, Erdogan i ka krahasuar zyrtarët gjermanë me nazistët.

Ai i ka bërë këto komente pasi autoritetet gjermane i kanë anuluar tubimet, që ai ka planifikuar t’i mbajë për diasporën turke në Gjermani, në prag të një referendumi të rëndësishëm për pushtetin e tij.

Berlini po ashtu e ka kritikuar Erdoganin për shtypjen e kundërshtarëve politikë, pas përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.