Presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kandidojë përsëri për president, duke theksuar se Turqia ka nevojë për një Kushtetutë të re, e cila pasqyron frymën e kohës moderne dhe vlerat demokratike.
“Nuk kam asnjë qëllim të kandidoj sërish. Qëllimi ynë i vetëm është të rrisim reputacionin e vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon. A mendoni se në një botë kaq dinamike mund të ecim përpara me një Kushtetutë të krijuar në kohën e grusht shtetit, që ende mban erën e mentalitetit të puçistëve? Turqia nuk mund të ecë më me një Kushtetutë të tillë. Na duhet një Kushtetutë e propozuar nga civilët, jo nga puçistët”, ka deklaruar Erdogan, sipas agjencisë shtetërore Anadolu.
Erdogani prej kohësh ka qenë mbështetës i hartimit të një Kushtetute të re, për të cilën thotë se do të jetë më demokratike, më civile dhe në përputhje me nevojat bashkëkohore të shoqërisë.
Kushtetuta aktuale e Turqisë u miratua në vitin 1982, pas grusht shtetit ushtarak të vitit 1980, dhe megjithëse është ndryshuar disa herë, kritikët thonë se ajo ende përmban elemente të një sistemi autoritar dhe logjikë puçiste.
Megjithatë, opozita turke shpreh shpesh dyshime mbi qëllimet e Erdoganit, duke pretenduar se reformat e tij synojnë forcimin e pushtetit personal dhe dobësimin e institucioneve të pavarura.
Sidoqoftë, deklarata për tërheqjen e tij nga gara presidenciale mund të hapë një dinamikë të re politike në vend, veçanërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2028.
Erdogan u rizgjodh president për herë të tretë në vitin 2023, dhe sipas mandatit aktual, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028.
Analistët parashikojnë se çështja e Kushtetutës së re do të jetë temë qendrore në vitet në vijim, pasi forma e sistemit kushtetues do të përcaktojë rregullat e garës politike në Turqinë e pas-Erdoganit.