Erdogan: Organizata terroriste ka afat 120 orë të braktisë rajonin e zonës së sigurtë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Që nga ky moment është në funksion një afat prej 120 orësh”.

Marketing

Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas daljes nga namazi i xhumasë në xhaminë Bezm-i Alem Valide Sultan në rajonin Dolmabahçe të Stambollit.

Lidhur me pyetjen për operacionin “Burimi i Paqes”, Erdoğan vuri në dukje se është një proces që vazhon me biseda telefonike, diplomatike dhe se në kuadër të kësaj kanë zhvilluar biseda me presidentin e SHBA-ve Donald Trump dhe presidentin e Rusisë Vladimir Putin si dhe me shumë vende të tjera evropiane.

Ai tha se “si rezultat i bisedimeve edhe mes delegacioneve së bashku kemi njoftuar për opinionin botëror deklaratën e përbashkët prej 13 pikash të përcaktuara”.

“Që nga ky moment është në funksion një proces prej 120 orësh. Brenda këtij afati organizata terroriste YPG duhet të largohet nga zona, kryesisht nga rajoni që ne e kemi përcaktuar si zonë e sigurtë. Këtë e ka thënë edhe i nderuari Trump që zona e sigurtë do të jetë 20 milje, ku sipas disa thënieve edhe 22 milje, por ne kemi thënë 32 kilometra e cila shtrihet në një gjatësi 444 kilometra nga pjesa perëndimore në lindje”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Në bisedimet që zhvilluam dje u dakorduam për zbrazjen e rajonit brenda një afati 120 orësh. Për këtë kemi rënë dakord që të zhvillohet nën kryesimin e Turqisë dhe në solidarizim së bashku. Por, ne dhe delegacionet tona do të jenë në kontakte të vazhdueshme që këtë ta kryejmë brenda 120 orëve. Siç e dini të martën do të zhvilloj një takim me presidentin Putin, takim ky të cilin e vlerësoj si një element tjetër të ndarë nga ky proces. Shpresojmë se me këto bisedime dhe me operacionin ‘Burimi i Paqes‘ do t’i sjellim rajonit paqen”.

– “Mos dëgjoni dezinformatat”

Pas pyetjes lidhur me informacionet e para të ardhura nga rajoni, Erdoğan tha: “Këtë mëngjes bisedova me Ministrinë e Mbrojtjes dhe më thanë se këto kanë filluar tërheqjen. Një veçori tjetër e marrëveshjes tonë është që forcat tona të sigurisë atje nuk do të largohen. Forcat tona do të vazhdojnë të qëndrojnë atje që ne të shohim nëse kjo organizatë terroriste do të tërhiqet apo jo me të vërtetë nga rajoni”.

“Zona e sigurisë ka një thellësi prej 32 kilometrash, një gjatësi 444 kilometra. Aktualisht duhet të shohim zbatimin e saj. Kjo zonë në lindje ka në kufi Irakun”, tha Erdoğan lidhur me pyetjen se çfarë rajonesh përfshin zona e sigurtë.

Ndërsa lidhur me pretendimet që në rajonin Ras al-Ayn vazhdojnë përleshjet, presidenti Erdoğan tha se “Nuk e di se nga i merrni ju këto lajme, por sipas lajmeve që kam marrë nga Ministria e Mbrojtjes nuk bëhet fjalë për një përleshje të tillë. Këto të gjitha janë spekulime, dezinformata. Ju lutem mos dëgjoni këto dezinformata. Të forcojmë hapin që kemi hedhur aktualisht”.

Marketing