Erdogan për kryeministrin grek: Mitsotakis nuk ekziston për mua

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha të hënën se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis “nuk ekziston më për të”, duke e akuzuar liderin grek se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

Marketing

“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, javën e kaluar, ai pati një vizitë në SHBA dhe foli në Kongres dhe i paralajmëroi ata të mos na jepnin F-16”,-tha Erdogan në një takim.

“Ai nuk ekziston më për mua. Unë nuk do të pranoj kurrë të takohem me të. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me politikanë të nderuar.”

Turqia dhe Greqia, të dyja aleatë të NATO-s, kanë qenë në mosmarrëveshje për një mori çështjesh si kufijtë detarë, shtrirja e tyre kontinentale, hapësira ajrore dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë javën e kaluar, Mitsotakis tha se Greqia do të fillojë procedurat për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030.

Pas komenteve të Erdoganit, zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou u përgjigj se Mitsotakis mbron të drejtat e Greqisë dhe ligjin ndërkombëtar dhe se politika e jashtme e Greqisë bazohet gjithashtu në aleancat e saj.

“Ne nuk do të hyjmë në një kundër-argument me udhëheqjen turke. Politika jonë është një politikë parimesh,”-tha ai në një deklaratë shkruan Reuters.