Erdogan: Sanksionet evropiane ndaj Rusisë, fajtore për krizën energjetike

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi të martën për krizën energjetike të Evropës sanksionet që ajo vendosi ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës .

Marketing

Erdogan ka mbajtur marrëdhënie të mira pune me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa përpiqet të qëndrojë neutral në konflikt dhe të furnizojë Ukrainën me armë dhe drone luftarake turke.

Ai u tha gazetarëve përpara se të nisej për një vizitë në Ballkan se kombet evropiane po “korrinin atë që mbollën” duke vendosur kufizime ekonomike ndaj Rusisë.

“Qëndrimi i Evropës ndaj Putinit, sanksionet e saj, e çuan Putinin – me dëshirë ose jo – në pikën që të thoshte: ‘Nëse ju veproni, unë do të veproj kështu’, tha Erdogan, raporton The Guardian.

“Ai po përdor të gjitha mjetet dhe armët e tij. Gazi natyror, për fat të keq, është një prej tyre.”

Komentet e Erdogan janë të ngjashme me ato të shprehura nga Kremlini këtë javë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, ishin shkak për ndalesën e dërgesave të gazit për në Gjermani përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1.

Vitin e kaluar, importet ruse përbënin pothuajse gjysmën e blerjeve të Turqisë të gazit natyror.

Turqia u zotua të kalojë ngadalë në pagesën e importeve ruse me rubla në një samit të zhvilluar midis Erdogan dhe Putin në fillim të këtij muaji.

Analistët besojnë se marrëveshja do të sigurojë që Rusia do të vazhdojë të furnizojë Turqinë me gaz përmes tubacionit TurkStream që kalon nën Detin e Zi.

Erdogan tha se nuk priste që Turqia të kishte ndonjë mungesë energjie këtë vit.

“Unë mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër,” tha Erdogan. “Ne nuk kemi një situatë të tillë.”

Marketing