Erdogan thirrje Trump-it: Mbaj premtimin për Gazën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që të mbajë premtimin e tij elektoral dhe të ndërmarrë hapa për ndërtimin e paqes.

Marketing

“Presim që zoti Trump të përmbushë angazhimet e dhëna para zgjedhjeve. Duhet të ndërmarrë hapa për ndërtimin e paqes, jo për nisjen e një lufte të re”, theksoi Erdogan.

Duke folur për krizën në Gaza, Erdogan u shpreh se situata atje është një plagë e hapur për të gjithë botën islame. “Gaza është një dhimbje në zemrat tona. Jemi të detyruar të punojmë pa pushim për të ndalur këtë vuajtje,” tha ai.

Ai theksoi se vendet islame ende nuk kanë arritur të marrin një qëndrim të bashkuar për këtë çështje. “Fatkeqësisht, nuk kemi mundur të ndërmarrim një hap të përbashkët,” tha Erdogan, duke shtuar se disa vende si Katari po ndihmojnë Gazën me mjete dhe pajisje ndërtimi për të pastruar rrënojat dhe për të rindërtuar qytetin.

Në lidhje me situatën në Siri, Erdogan tha se edhe atje nevojiten mjete ndërtimi për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga lufta. Ai shtoi se Turqia është e gatshme të ndihmojë në këtë drejtim.

Erdogan kritikoi gjithashtu mungesën e një armëpushimi të qartë në Gaza, pavarësisht deklaratave për një marrëveshje. “Nuk po shohim shenja të një armëpushimi të vërtetë,” tha ai.

Presidenti turk shprehu gjithashtu interes për rezultatin e takimit midis Presidentit Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se shpreson për një zgjidhje pozitive që do të kontribuojë në paqen globale.