Populizmi miop anti-migrantë në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ka bllokuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke dobësuar kështu stabilitetin e rajonit, ka thënë të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ai këto komente i bëri në samitin ballkanik të mbajtur në Sarajevë ku liderët shfaqën zhgënjimin e tyre të thellë me mos-mbajtjen e premtimeve nga BE-ja për të hapur bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, gjë që u kundërshtuar nga shtetet veriore të BE-së.
Erdogani dhe folësit tjerë në samitin ballkanik kritikuan BE-në për ngurrimin në raport me zgjerimin e bllokut.
“Kohëve të fundit kemi parë se disa qarqe miope populiste kanë bllokuar politikën e zgjerimit të BE-së. Trende negative ndaj ndarjes dhe diskriminimit janë shpërndarë në mbarë kontinentin dhe rrezikojnë jo vetëm paqen e brendshme brenda BE-së por… edhe shpresën dhe potencialin rajonit të Ballkanit”, ka thënë presidenti turk, raporton Reuters.
Apetiti i BE-së për zgjerim të mëtejmë është shkatërruar nga ndjenja anti-emigrim midis votuesve dhe nga kritikat në rritje të procesit veçse kompleks të bllokut 28 anëtarësh për vendimmarrje.
Franca dhe Holanda, me mbështetjen e Danimarkës, po ashtu kërkojnë kushte tjera si reforma më të shumta për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri e Maqedoni.
Edhe vet kërkesa e Turqisë për anëtarësim në BE, e nisur më 2004, ka ngecur për vite të tëra, pasi zyrtarë të BE-së përmendin shpërfilljen e Ankarasë për të drejtat e njeriut dhe liritë civile nën pushtetin e Erdoganit. Disa liderë të BE-së dëshirojnë të bisedimet të braktisen. Erdogani ka fajësuar paragjykimet ndaj myslimanëve për këtë rrugë pa krye.
Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, u bëri thirrje liderëve të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që të dalin me një qasje të qartë dhe të përbashkët në lidhje me pritjet për raportet me BE-në.
“Jemi të shqetësuar për politikën e zgjerimit e cila po vonohet dhe po bëhet e mjegullt”, tha Gjukanoviqi, duke shtuar se edhe vende tjera të rajonit kanë pranuar sinjale dekurajuese në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE.
Ai tha se BE-ja ka dështuar që t’ua heqë kërkesat për viza qytetarëve të Kosovës apo të aprovojë hapjen e kapitullit të fundit të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa ka vonuar edhe aprovimin e statusit të kandidat për Bosnjën.
“Besoj se çështja e një perspektive reale të zgjerimit do të duhet të hapet shumë shpejt – nëse ne, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja, jemi partnerë të privilegjuar ose po kthehemi në pozicionin e fqinjëve që (thjesht) ndajnë brengat për të ardhmen e kontinentit tonë të përbashkët”, tha ai.
Erdogani nderoi edhe viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, duke vënë lule në kamionët që bartnin arkivolet e 33 prej 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë të masakruar nga forcat serbe të Bosnjës. Mbetjet mortore, që u ekshumuan nga varreza masive, do të rivarrosen në një ceremoni më 11 korrik, në përvjetorin e masakrës.