Erëra të forta, komuna e Prishtinës del me paralajmërim për qytetarët

Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar për shkak të parashikimeve për mot të rënduar me erëra të forta dhe reshje shiu, të cilat pritet të fillojnë gjatë orëve të ardhshme dhe të shoqërohen me reshje bore në orët e vona të natës.

Marketing

“Ju lusim të tregoni kujdes të shtuar, veçanërisht duke siguruar objektet e lëvizshme në ballkone ose oborre, për të shmangur dëmet nga era. Po ashtu, rekomandojmë reduktimin e lëvizjeve të panevojshme dhe kujdes të shtuar në trafik,” thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna ka paralajmëruar qytetarët të shmangin parkimin pranë pemëve apo objekteve që mund të jenë të rrezikshme për shkak të erërave të fuqishme.

“Ekipet tona të emergjencave janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë të mundshme. Për ndihmë apo raportime, qytetarët mund të kontaktojnë Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca në numrin pa pagesë 0800 122 33 ose 122 44,” theksohet më tej në njoftim.

Komuna siguroi qytetarët se të gjitha masat janë marrë për t’iu përgjigjur situatës dhe apeloi për bashkëpunim e kujdes të shtuar në përballimin e kushteve të rënduara atmosferike

Marketing