Anëtarët e Komisionit kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve pritet që sot të mbajnë mbledhje në të cilën duhet të votohet për përbërjen e komisioneve parlamentare. Kryetari i Komisionit Kostadin Kostadinov tashmë konfirmoi se partitë parlamentare kanë arritur marrëveshje për atë se kush do të kryesojë me komisionet. Pastaj përbërja e komisioneve duhet të kalojë edhe në seancë plenare.
Deputetët e LSDM-së do të kryesojnë me tetë komisione kuvendore, opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu me tetë, BDI me tri përfshirë edhe Komisionin për Çështje Kushtetuese, me të cilin kryeson kryetari i Kuvendit, deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës do të kryesojnë me dy komisione, ndërsa Besa me një.
Deputeti Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE dje deklaroi se grupi i tij parlamentar do të kryesojë me tetë komisionet e njëjta si edhe në përbërjen e kaluar. Tha se deputetët e partisë opozitare do të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe në seancën plenare në të cilën duhet të konfirmohet përbërja e komisioneve.
Edhe pse është konfirmuar marrëveshja, deri më tani ende në ueb-faqe nuk është caktuar mbledhje e Komisionit kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot do të mbajë brifing me gazetarët, i pari pas rizgjedhjes së tij, pas çka pritet të dihet se kur do të konvokohet mbledhja në të cilën duhet të votohet për përbërjen e Komisioneve dhe se si do të zhvillohet puna e mëtutjeshme e Parlamentit.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe pse është konstituuar nuk mund ta fillojë punën e tij sipas teksteve ligjore sepse partitë parlamentare nuk mund të arrijnë marrëveshje për kryesimin me komisionet parlamentare. Gjithashtu, njëri nga deputetët e BDI-së është i sëmurë me Kovid-19, dhe ende nuk është verifikuar mandati i deputetit i cili do të vie në vendin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, dhe kështu vihet në pikëpyetje edhe shumica në Parlament.