Eskobar: Maqedonia e Veriut duhet menjëherë të bëhet anëtare e BE-së

Maqedonia e Veriut duhet të jetë kandidate e plotëfuqishme dhe menjëherë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut është partner shumë i fuqishëm, bilateral dhe në aleanca multilaterale, si NATO dhe OSBE, deklaroi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili gjendet për vizitë në Prishtinë.

Marketing

Këtë në profilin zyrtar në Fejsbuk e publikoi Ambasada amerikane në Shkup.

Eskobari dje porositi se Maqedonia e Veriut është partner shumë i fuqishëm i SHBA-së, si bilateral, ashtu edhe në aleanca multilaterale, si NATO-ja dhe OSBE-ja dhe Uashingtoni pret që edhe pas zgjedhjeve vendi të ketë qeveri të përkushtuar për integrim në BE.

“Qeveria paraprake ishte e përkushtuar për anëtarësim në NATO dhe anëtarësim në BE dhe pritjet tona janë që qeveria që do të vijë pas zgjedhjeve, të jetë ngjashëm e përkushtuar për anëtarësim në BE dhe luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Eskobar në brifing në Bruksel para vizitës së tij në Prishtinë, Vjenë dhe Podgoricë.

Ai ka shfaqur shpresë se pas zgjedhjeve do të krijohet mundësi që të udhëtojë në vend, pasi, siç tha, gjatë qëndrimit të tanishëm në rajon, do të përkushtohet në çështjet aktuale të lidhura me Kosovën dhe ngjarjet në Mal të Zi.

Eskobar, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, paradite e vizitoi Manastirin e Deçanit, një ditë pasi Qeveria ka kërkuar nga Agjencia kadastrale e Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e pronës së tokës së Manastirit, e pastaj e vizitoi edhe komunën e Pejës, ku u takua me kryetarin e Komunës Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të sektorit civil dhe mediumet, si dhe me të rinj të komunitetit shqiptar, serb dhe boshnjak në atë komunë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Disa orë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Eskobar tha se “me të vërtetë dëshiron të punojë me Qeverinë e Kosovës, me shpresë për gjetjen e zgjidhjeve urgjente”.