Përfundimisht me ditën e sotme deri në orën 7:30 në vend janë regjistruar gjithsej 1.760.194 persona, 546.8080 amvisëri dhe 789.406 banesa, kumtoi Enti shtetëror për statistika.
Mundësinë për vetëregjistrim jashtë vendit, ndërkaq, deri më tani e shfrytëzuan – 201.247 qytetarë nga diaspora.
Sot është dita e 25-të e Regjistrimit 2021 dhe deri në fund mbetet edhe një ditë me aktivitete regjistruese.
Përveç në shtëpitë e veta, qytetarët mund të regjistrohen edhe në pika të caktuara në komunat e veta, që i hapi Enti shtetëror për statistika. Lokacionet për regjistrim janë të kapshme në linkun e ESHS-së: https://popis2021.stat.gov.mk/Upatstva/SpisokNaKPRzaPopisuvanje.pdf
Nga Enti shtetëror për statistika thonë se në ditët e fundit të Regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave, aktivitetet regjistruese në terren po zhvillohen pa pengesa dhe në disa rajone të caktuara regjistruese me intensitet të shtuar. Rajonet më të vogla regjistruese në vend tashmë po i përfundojnë aktivitetet regjistruese të popullatës dhe po bëhen kontrollimet e fundit. Në disa mjedise të caktuara urbane intensiteti i regjistrimit po shtohet, po përfshihen regjistrues shtesë në mënyrë që të mund të vizitohet çdo amvisëri dhe askush të mos mbetet. Me tërë potencialin e disponueshëm po punohet pa ndërprerje dhe sipas afateve të caktuara me Ligjin për regjistrim, theksojnë nga ESHS.
Regjistrimi i popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që zyrtarisht filloi më 5 shtator do të zgjasë deri më 30 shtator.