



Nga 5 deri më 30 shtator duhet të kryhet operacioni më i madh statistikor në vend, Regjistrimi i popullsisë. Në prag të tij, Enti Shtetëror i Statistikës, më 20 korrik shpall konkursin për 5.055 regjistrues rajonalë dhe 508 instruktorë rajonalë për 50 zonat e regjistrimit. Aplikimi bëhet përmes aplikacionit që do të vendoset në faqen e internetit Popis2021.stat.gov.mk. Nga qeveria sigurojnë se regjistrimi do të kryhet sipas të gjitha standardeve europiane.
“Procesi i testimit dhe shpallja e listave përfundimtare të kandidatëve të zgjedhur pritet të përfundojë deri më 15 gusht. Regjistrimi në muajin shtator do të realizohet sipas standardeve më të larta statistikore. Qeveria është e bindur se çdo palë e interesuar dhe qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e këtij operacioni sigurisht kur vendi ka një ligj modern dhe metodologji e cila garanton se numërimi i popullsisë do të bëhet sipas statistikave më të larta.”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte: Të jenë shtetas të RMV-së, të mos jenë të punësuar, të kenë përfunduar të paktën arsimin e mesëm dhe të kenë aftësi kompjuterike. Dokumentet mund të dorëzohen paraprakisht me postë në Entin Shtetëror të Statistikave, ose kandidatët mund t’i sjellin ato ditën e testimit të planifikuar në komisionet e regjistrimit. ESSH fton të gjitha palët e interesuara , që i përmbushin kushtet e kërkuara, të aplikojnë në Konkurs, duke kontribuar kështu në zbatimin me sukses të procesit të Regjistrimit.