Pas debatit treditor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë konfirmuar Draft-amandamentet, me të cilat do të bëhen ndryshime të Kushtetutës në pajtim me Marrëveshjen nga Prespa. Me këtë përfundoi edhe faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese.
Pas miratimit të draft-amandamenteve kushtetuese në Kuvend, propozuesi i ndryshimeve kushtetuese, respektivisht Qeveria duhet të organizojë debat publik prej tre ditëve, pas çka do të ketë dy ditë që të përgatisë raport dhe pestën ditën ta parashtrojë deri te Kuvendi. Presidenti i Kuvendit, Talat Xhaferi pastaj është i obliguar që në afat prej 30 ditëve të caktojë seancë për miratimin final të amandamenteve, për çka sërish, si në fazën e parë, nevojitet shumicë prej dy të tretave. Me këtë finalizohet procedura për ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin nga Marrëveshja nga Prespa.
Nga Qeveria thonë se janë të hapur për sugjerime dhe kërkojnë nga të gjithë deputetët të përfshihen në debatet për amandamentet.
Kryeministri Zoran Zaev të shtunën në fillim të debatit për Draft-amandamentet tha se mbetet i hapur për proces inkluziv, duke shtuar se draft-amandamentet janë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e Maqedonisë dhe perspektivat e saj në intergimet evroatlantike. Ai përsëriti se amandamentet do të inkorporohen në Kushtetutë vetëm nëse Greqia e voton Marrëveshjen dhe jep përkrahje për Protokollin për qasje të Maqedonisë drejt NATO-s.
Debati për Projekt-amandamentet kaloi në shenjë të akuzave të ndërsjella të partive në pushtet dhe opozitës për atë se kush ka krijuar ndarje në shoqërinë e Maqedonisë, ndërsa janë parashtruar edhe qëndrime “për” dhe “kundër” ndryshimit të emrit me qëllim të anëtarësimit në BE dhe NATO. Një pjesë e partive shqiptare, si BESA dhe Aleanca për shqiptarët kërkuan të bisedohet për barazi gjuhësore, pasi, sipas tyre, hapja e ndryshimeve kuhstetuese janë moment i mirë që të bisedohet për to.
Kryeministri Zaev dje nga Zagrebi ka shprehur bindje se procesi në Parlament do të përfundojë me sukses, që do të mundësojë anëtarësim të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe fillim të negociatave qasëse me BE-në.
“Besoj se deri nga fundi i janarit, Parlamenti do të japë përkrahje për Marrëveshjen me Greqinë, pas çka do të vijojë edhe përkrahja e Marrëveshjes edhe nga ana e Greqisë, si dhe protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Besojmë se Kroacia do të jetë një nga vendet e para që do ta nënshkruajë Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe se dhe se Maqedonia do të jetë vendi anëtar i 30-të i NATO-s”, tha Zaevi në takimin me kolegun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.