etova kërkon hua për pesë autobusë

Një firmë me emrin SH.SH.T “4 All Media SHPKV” nga Shkupi është ofruar që t’i japë donacion Komunës së Tetovës nënstacione për pritje të transportit publike, në ndërkohë si kompensim të marrë hapësira për reklamim në territorin e Komunës së Tetovës në afat prej 10 vitesh. Mirëpo, ky donacion nuk është pranuar nga ana e Këshillit të Komunës së Tetovës, këshilltarët e së cilës njëzëri e refuzuan ofertën, pasi kompania e cila është ofruar për donacion, gati se një vit nuk ka llogari aktive dhe përllogaritjet janë se kjo kompani do të fitojë shuma të mëdha gjatë kohës që do të shfrytëzojë hapësirat publike për reklamim.

Marketing

“Sipas përllogaritjeve tona, donacioni është shumë i vogël, kurse përfitimet janë të mëdha nëse ne lejojmë që kjo firmë të marrë në shfrytëzim hapësira publike për reklamim. Por, ajo që është skandal në vete është se kjo firmë nuk ka llogari aktive dhe prandaj si të këtillë ne nuk e pranojmë që një kompani e këtillë të përfitojë nga paratë e qytetarëve të Tetovës për një kompensim që kushton shumë pak. Ne propozuam që të tërhiqet nga rendi i ditës ky propozim dhe u pranua nga shumica e këshilltarëve”, tha këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami. Edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, tha se është tërhequr nga rendi ky propozim për të marrë informacione shtesë lidhur me këtë donacion. Në ndërkohë, pas refuzimit të këshilltarit të ASH-së, edhe këshilltarët tjerë janë pajtuar që ky propozim të tërhiqet nga rendi i ditës dhe të merren informacione shtesë.

Këshilltarët theksuan se nëse vërtetë ekzistojnë donatorë që dëshirojnë të ndihmojnë, janë të mirëseardhur, por ata nuk duhet që të kërkojnë kompensime. Në ndërkohë, Këshilli i Tetovës i ka dhënë drite jeshile propozim-vendimit që t’i jepet prioritet projektit “Furnizimi i komunës me autobusë për nevojat e Ndërmarrjes publike për transport publik”. Me këtë vendim, këshilltarët i kanë mundësuar komunës që të aplikojë në Ministrinë e Financave për marrje të borxhit me një normë interesi prej 0.8 për qind për të pajisur ndërmarrjen me autobusë dhe përfundimisht të aktivizohet transporti publik në qytetin e Tetovës.

“Vlera nuk është përcaktuar ende, sepse janë konsultimet e fundit në sektorin e financave. Bëhet fjalë për një huamarrje përmes Ministrisë së Financave, kurse mjetet do të shfrytëzohen për marrjen e pesë autobusëve. Mendojmë se kemi kushte të mira për kthim dhe njëkohësisht do të aktivizohet ndërmarrja publike për transport publik në Tetovë”, tha Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës. Në ndërkohë, këshilltarët e opozitës akuzuan pushtetin lokal se pse lejuan në të kaluarën që të shuhet një ndërmarrje publike siç ishte “Polet”, kurse adresuan edhe pyetje ndaj kryetares së Teuta Arifi se pse është tërhequr nga kërkesa që të kërkohet ndihmë nga Qeveria për pajisje me autobusë. (koha.mk)