EULEX vëzhgon pikat kufitare në veri, thotë se situata mund të përshkallëzohet

EULEX tha se vetëm pjesërisht mund ta plotësojë boshllëkun e krijuar në fushën e sigurisë pas dorëheqjes së shumicës së pjesëtarëve të

Marketing

Policisë së Kosovës që kanë shërbyer në pjesën veriore të Kosovës. Në një përgjigje për RTV21 Misioni i BE-së për sundimin e ligjit tha se po e vëzhgon situatën në dy pika kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, duke përfshirë edhe praninë e Njësisë së Formuar Policore.

Ai tha se këshilltarët e lartë policorë të EULEX-it në veri janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Rajonit Veri të Policisë së Kosovës dhe po ofrojnë këshilla. EULEX tha se ka shtuar patrullimet e vëzhgimit dhe aktualisht 105 pjesëtarëve polakë të Njësisë së Formuar Policore i janë shtuar edhe 23 karabinierë që po patrullojnë për të shtuar ndërgjegjësimin e Misionit për situatën.

Sipas misionit situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë por shumë e brishtë me mundësi të përshkallëzimit të shpejt. Deklarimet e EULEX, pasuan vizitën në pjesën veriore të Kosovës të shefit të misionit, Lars Gunnar Wigemark, një ditë më parë dhe pas takimeve me udhëheqës politikë, përfaqësues të shoqërisë civile e personelin e EULEX-it ka deklaruar se banorët vendas janë të frikësuar.

Angazhimi i Misionit të BE-së për sundimin e Ligjit në pjesën veriore të Kosovës, u bë në fillim të zbatimit të një vendimi të qeverisë së Kosovës për shkallëzim të masave për riregjstrim të targave, faza e dytë e të cilit nis më 21 nëntor, me shqiptimin e gjobave prej 150 euro. Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës në kundërshtim të zbatimit të vendimit u larguan nga institucioni dhe dorëzuan pajisjet e tyre.

Në stacionet në veri janë vendosur njësi të tjera të Policisë së Kosovës. EULEX tha se marr parasysh forcat e tij në terren dhe brenda kufijve të mandatit të tij, misioni është i vendosur të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj. Në përgjigje për RTV21, misioni tha se përmes pranisë së tij po mundohet ta qetësojë popullatën vendase duke theksuar rëndësinë që të gjitha komunitetet të ndjehen të sigurta.