Euro 2024/ Sfidat e gjysmëfinales, UEFA zgjedh arbitrat

UEFA ka zbuluar arbitrat që do të vendosin drejtësi në dy ndeshjet gjysmëfinale të Europianit.

Marketing

Në sfidën e parë, atë mes Spanjës dhe Francës, e planifikuar për tu luajtur të martën e 9 korrikut, do të vendosin drejtësi arbitra sllovenë.

Gjyqtar kryesor, do të jetë Slavko Vincic, ndërsa ndihmës të tij në fushë janë Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic. Në VAR, është zgjedhur një tjetër slloven, Nejc Kajtazovic.

Për Vincic, kjo do të jetë ndeshja e tretë që do të gjykojë në Euro 2024, pasi më parë ka vendosur drejtësi edhe në Hungari-Zvicër dhe Spanjë-Itali.

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, atë mes Anglisë dhe Holandës, e planifikuar për tu luajtur të mërkurën e 10 korrikut, do të gjykojnë arbitra gjermanë.

Bëhet fjalë për Felix Zwayer, i cili ishte kryesor edhe në takimin e parë të Shqipërisë në Europian, ndaj Italisë.

Ndihmës të Zwayer në fushë, janë përzgjedhur Stefan Lupp dhe Marco Achmuller, ndërsa në VAR, është Bastian Dankert.

Kjo trupë gjermane, përveç Itali-Shqipëri, në këtë Europian, ka vendosur drejtësi edhe në ndeshjen mes Portugalisë dhe Turqisë.