Eurobarometri: Varfëria dhe papunësia problemet kryesore në Maqedoninë e Veriut

Pavarësisht se e shohin BE-në si perspektivë për vendin dhe qytetarët, banorëve të Maqedonisë së Veriut ka filluar tu zbehet simpatia dhe besimi tek ky organizim. 6 përqind e banorëve që vjet i kishin besuar tërësisht idesë së BE-së, tashmë janë skeptik dhe nuk e kanë më këtë qëndrim.

Marketing

Ky rezultat ka dalë nga hulumtimi i rregullt i Eurobarometrit, të zbatuar pas zgjedhjeve evropiane, në të cilin 57 përqind e banorëve të Maqedonisë së Veriut që janë anketuar, kanë thënë se i besojnë BE-së, por ky numër është për gjashtë përqind më i vogël se përqindja e besimit të banorët e Maqedonisë së Veriut kishin shfaqur vjet për BE-në.

Pavarësisht se 57 përqind është niveli i besimit, 69 përqind e të anketuarve konsiderojnë se anëtarësimi në BE do të ishte i mirë për vendin ndërsa vetëm 16 për qind e të anketuarve kanë qëndrim të kundërt. Ndërsa 72 përqind e të anketuarve vlerësojnë se vendi do të ketë dobi nga anëtarësimi në BE.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut si dy probleme më të mëdha me të cilat po përballet vendi i kanë theksuar gjendjen ekonomike (35%) dhe papunësinë (30%).

Në pyetjen sa janë të kënaqur nga jeta që e jetojnë, 67 për qind e të anketuarve në vend janë përgjigjur se janë të kënaqur, ndërsa 33 për qind janë të pakënaqur. Gjysma e të anketuarve nuk besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet në 12 muajt e ardhshëm.

51 përqind e të anketuarve kanë dhënë vlerësim se gjendja e përgjithshme në vend për momentin është e keqe, ndërsa lidhur me gjendjen ekonomike madje 62 përqind e të anketuarve kanë thënë se është e keqe.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut më së paku u besojnë partive politike, dhe për këtë gjë janë deklaruar madje 77 përqind e të anketuarve. 62 përqind e të anketuarve nuk u besojnë as mediave. Qeverisë nuk i besojnë madje 76 përqind e të anketuarve, ndërsa Parlamentit nuk i beson 69 përqind e të anketuarve.

Sa i përket mbështetjes së vendeve anëtare për vendet kandidate, ka një rritje simbolike prej 3 përqindësh në krahasim me raportin e kaluar. 48 përqind e të anketuarve janë për hyrje të shteteve të reja në Union, ndërsa 52 përqind janë ende kundër.

Mbështetje më të madhe për zgjerimin e BE-së japin spanjollët . 70% përqind prej tyre janë për idenë e vendeve të reja anëtare. Polakët dhe Lituanezët janë poashtu të hapur për vende të reja anëtare pasi 69 përqind e të anketuarve në këto dy shtete kanë dhënë përgjigje pozitive për zgjerimin. Mbështetje të madhe për zgjerimin kanë dhënë edhe Hungarezët me 65% dhe Sllovenët me 64%.

Kundërshtarë më të mëdhej të zgjerimit janë Holandezët, Francezët dhe Gjermanët.

Hulumtimi i Eurobarometrit është zbatuar sipas metodologjisë „ballë për ballë“. Në BE janë përfshirë 27 464 të anketuar, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 1 017 në periudhën prej 12 e deri në 26 qershor të këtij viti.