Eurointegrimet, Osmani: Pushteti dhe opozita bashkë në nisjen e bisedimeve

Partitë politike, pushtet dhe opozitë do të duhet bashkë të punojnë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, ka theksuar zëvendës kryeministri për çështje europiane Bujar Osmani.

Marketing

Në këtë drejtim ai theksoi edhe rëndësinë e arritjes së konsenzusit për ligjin për prokurori publike.

“Pres që të gjithë në Europë të jenë të vetëdijshëm se 15 tetori nuk është një datë e thjeshtë ku do të sillet vendim për një shtet. Është një datë historike nga më shumë aspekte, pasiqë është një shans i papërsëritshëm që proceset e nisura të marrin kahjen e duhur. Është një mundësi historike që të jepet një porosi rajonale se kjo është rruga e paalternativë për vendet e rajonit. Është shans historik edhe për BE-në që të mbajë kredibilitetin në rajon dhe njerëzit që jetojnë këtu”, u shpreh zëvendës kryeministri për çështje europiane Bujar Osmani.

Osmani u shpreh optimist se vendimi do të jetë pozitiv, dhe procesi të nis javën që vjen në Bundestagun gjerman.

“Jam i kënaqur që mora ftesën nga presidenti Shojble që të jem prezent kur do të merret vendimi në Bundestag dhe kjo do të vendosë edhe tonin e vendimeve të shteteve të tjera. Kuptohet që këto 24 ditë punojmë me gjitha vendet anëtare. Përshtypja e vizitave që kisha është se Maqedonia e Veriut është shembull i shkëlqyer, që ka përmbushur të gjitha detyrat e dhëna nga Unioni”, theksoi Osmani.

Në rast se vendi merr përgjigje negative, Osmani tha se atëherë pasojat do të jenë më serioze. Ai gjithashtu apeloi partitë politike që mos të keqpërdorin marrjen e datës për politika ditore.

Marketing