Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka prezantuar këtë të mërkurë emrat e disa prej ministrave në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shkruan Euronews.
Ai tha se qeveria e re duhet të bazohet tek parimi i konsensusit të gjerë, ndërsa shtoi se palët e koalicionit duhet të marrin vendime të drejta për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Duket që marrëveshja me LSDM-në e Zoran Zaev ka qenë e suksesshme jo vetëm për arritjen historike, ku vendi do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të këtij mandati, por edhe për postet ministrore që i janë besuar BDI-së.
Sipas marrëveshjes, BDI-ja do të drejtojë disa prej ministrive më të rëndësishme, siç është ajo e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Jashtme, kreun e Kuvendit si dhe disa ministri të tjera me rëndësi për jetën politike e shoqërore të RMV-së
Postet që do drejtohen nga BDI-ja:
Kryetari i Kuvendit- Talat Xhaferri
Ministria e Jashtme- Bujar Osmani
Ministria e Financave- Fatmir Besimi
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistemin Politik-Artan Grubi
Ministria e Ekonomisë- Kreshnik Bekteshi
Ministria e Ambientit Jetësor-Naser Nuredini
Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës (Proces në konsultim për gjetjen e drejtuesit/es).
Pas arritjes së marrëveshjes me BDI-në, Zoran Zaev tha se e vlerësonte “mençurinë, durimin dhe përkushtimin” e Ahmetit në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke pranuar se pakti përfshin votimin e një kryeministri shqiptar në fund të mandatit.
“Ne si partnerë koalicioni kemi rënë dakord që 100 ditë para zgjedhjeve, partitë me propozim të BDI-së të caktojnë një kandidat për kryeministër. Kjo është në kuadër të ndërtimit të mirëbesimit”, theksoi Zaev.
Në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni mes LSDM dhe BESA siguroi 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta dy dhe PDSH-ja një./Euronews