Europa po përvëlohet, zjarre dhe temperatura të larta në shumë vende

Një valë e të nxehtit që solli temperatura rekord në vendet anembanë Evropës po lëviz më tej në veri dhe lindje të mërkurën.

Marketing

Belgjika jugore dhe pjesë të Gjermanisë perëndimore dhe jugperëndimore parashikohet të arrijnë mbi 40°C të mërkurën.

Në Francën veriore, qindra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre pasi temperaturat e larta shkaktuan zjarre që shkatërruan më shumë se një mijë hektarë bimësi në Brittany.

Në Angli, ku rekordet e temperaturës u thyen të martën, kryebashkiaku i Londrës tha se zjarrfikësit e qytetit të tij kishin ditën më të ngarkuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Saddiq Khan i tha BBC News se në një ditë normale, departamentet e zjarrfikësve marrin rreth 350 thirrje, por të martën ata trajtuan më shumë se 2,600.

Në Greqi ,po ashtu rreth 500 zjarrfikës janë duke shuar zjarrin në Penteli në veri-lindje të kryeqytetit Athinë, ndërsa efektet e valës së të nxehtit vazhdojnë. Erërat mbi 80 km/h e kanë bërë më të vështirë kontrollin e flakëve.

Zjarret e mëdha kanë përfshirë edhe Italinë ditët e fundit, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të një rruge kryesore hekurudhore midis Romës dhe Firences, raportojnë mediat italiane.

Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës do të vazhdojë ta bëjë motin më ekstrem dhe zjarret më të shpeshta dhe shkatërruese nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime vendimtare për ta ndaluar atë.

Marketing