Eurostat publikon statistika të reja: Kosova vazhdon të ketë çmimin më të ulët të rrymës

Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, pak orë më parë ka publikuar të dhënat e reja statistikore të çmimit të energjisë elektrike, sipas të cilave, Kosova vazhdon të mbajë çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Evropë.

Ndryshe, sipas Eurostat, çmimet e energjisë elektrike në shtetet e Bashkimit Evropian kanë pësuar rritje, krahasuar me vitin 2017. Përkundër, Kosova ka arritur të mbajë çmim të ulët të energjisë elektrike, krahasuar me vendet tjera.

Marketing

“Rritjet më të mëdha të çmimit të energjisë elektrike janë shënuar në Qipro dhe Spanjë’, thuhet në njoftimin e Eurostat.

Në listën e shteteve, është vetëm Ukraina ajo që ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike se Kosova.

“Statistikat përfshijnë çmime të energjisë elektrike për konsumatorët e amvisërisë dhe konsumatorët tjerë në Bashkimin Evropian. Lista gjithashtu përfshinë të dhëna mbi çmimet në Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji, Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi, Serbi, Turqi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Moldavi, Ukrainë dhe Gjeorgji”, thuhet në faqen zyrtare të Eurostat.

Ndryshe, MZHE konfirmon se një prej arsyeve për çmimin e lirë të rrymës në Kosovë është edhe mungesa e investimeve në sektorin e energjisë.

Investimet në projekte energjetike, qoftë në miniera, projekte të energjisë së ripërtrishme, termocentralin Kosova e Re, do të reflektojnë në çmimin e energjisë elektrike në Kosovë në të ardhmen.

“Realizimi i tyre ka kosto të kthimit, sikurse çdo kund tjetër në botë, dhe eventualisht do të reflektojë në çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët”, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Realizimi i projekteve të planifikuara energjetike është më se i nevojshëm, për të siguruar pavarësi energjetike për vendin dhe furnizim të rregullt me energji elektrike në Kosovë.

Marketing