Shqiptarët renditen të tretët në botë, pas marokenëve dhe ukrainasve, që iu është refuzuar hyrja në Bashkimin Europian në vitin 2019 dhe po të tretët për numrin e personave të cilët janë urdhëruar të largohen.azil
Në vitin 2019, rreth 717 mijë qytetarëve nga vendet jo të Bashkimit Europian iu refuzua hyrja në BE, në një nga kufijtë e saj të jashtëm, shifër që është rritur me 58% krahasuar me 454 600 persona në vitin e kaluar, sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat.
Numri më i lartë i qytetarëve jo-BE, që iu refuzua hyrja në BE në vitin 2019 ishin marokenë (489 900), ndjekur nga qytetarët e Ukrainës (66 500) dhe të Shqipërisë (22 800).
Një shumicë e madhe e refuzimeve të hyrjes u regjistruan në Spanjë (493 500), e ndjekur nga Polonia (65 400) dhe Franca (56 600): së bashku këto tre shtete anëtare të BE-së përbënin 86% të të gjithë qytetarëve jo-BE që iu refuzuan hyrjen në BE në vitin 2019.
Shqipëria renditet e treta edhe për numrin e qytetarëve që janë urdhëruar të largohen nga vendet e BE-së.
Eurostat raporton se në 2019-n, numri më i lartë i personave që u urdhëruan të linin territorin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian u konstatua për ukrainasit (37 100), marokenët (34 800) dhe shqiptarët (30 900).
Numri i qytetarëve jo të BE- që u urdhëruan të largohen në 2019-n u rrit me 8%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 491 mijë persona.
Midis Shteteve Anëtare të BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të qytetarëve jo-BE të urdhëruar të linin territorin e saj në vitin 2019 (123 800), e ndjekur nga Greqia (78 900), Gjermania (47 500) dhe Spanja (37 900).
Në vitin 2019, nga ata që u lëshua urdhër për të lënë territorin e një Shteti Anëtar të BE-së, u kthyen jashtë BE rreth 142 mijë persona; një ulje prej 2.5% kur krahasohet me një vit më parë (145 900).
Polonia raportoi numrin më të madh të qytetarëve jo-BE që ikën nga BE (25 900), e ndjekur nga Gjermania (25 100), Franca (15 600), Spanja (11 500) dhe Holanda (11 100): së bashku këto Shtete Anëtare përbënin gati dy të tretat (63%) të të gjithë qytetarëve jo-BE të kthyer jashtë BE-së në vitin 2019.
Ukrainasit (27 200) kryesuan listën e qytetarëve jo-BE të kthyer në një vend jo të BE-së, të ndjekur nga shqiptarët (15 400), marokenët (10 200) dhe gjeorgjianët (8 600). Monitor