Eurot e falsifikuara që u gjetën në Kosovë, dyshohet se janë prodhuar në Maqedoninë e Veriut

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas konfiskimit të mbi 85 mijë eurove të falsifikuara në monedha nga dy euro të martën, njoftoi se monedhat e falsifikuara të valutës evropiane, të cilat distribuohen në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit, dyshohet se janë prodhuar në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Ky informacion bëhet i ditur në kumtesën e mbrëmshme të Prokurorisë, me rastin e kërkesës së saj për përcaktimin e paraburgimit njëmujor për gjashtë të arrestuarit, prej të cilëve tre shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe tre shtetas të Kosovës, te të cilët më 28 nëntor ishin zbuluar monedha metali nga dy euro, në vlerë të përgjithshme prej 85.010 euro. Bëhet fjalë për personat me inicialet B.A., SH.A. dhe A.A. nga Shkupi – Republika e Maqedonisë së Veriut, dhe S.R., M.K. dhe H.D. nga Paldenica – Komuna e Hanit të Elezit.

Në kërkesën në Prokurori, të cilën e ka dërguar organizata joqeveritare “Betimi për Drejtësi”, e cila monitoron punën e institucioneve të drejtësisë së Kosovës, thuhet se “ekziston dyshimi se të akuzuarit B.A., SH.A., A.A. S.R., M.K. dhe H.D., për të përfituar në mënyrë të paligjshme përfitime materiale për veten dhe grupin, në kohë të pa verifikuar kanë siguruar para të falsifikuara, të prodhuara në Maqedoninë e Veriut dhe gjithsej 42.505 copë monedha metalike me vlerë prej 2 euro, në shumën totale prej 85 mijë euro”.

Në kërkesë është theksuar se të dyshuarit pastaj i kishin vendosur monedhat në qese të ndryshme, duke i kamufluar që tu ngjajnë mallrave të thjeshtë dhe i kanë vendosur në veturë, ndërsa pastaj më 28 nëntor të këtij viti i kanë sjellë në Kosovë, kur të koordinuar ishin takuar në Han të Elezit me të akuzuarit S.R., M.K., dhe H.D. me qëllim që bashkë ta vazhdojnë rrugën deri në Prishtinë.