Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se dy shtetas të Kosovës, që gjendeshin në Kabul të Afganistanit, janë evakuuar nga atje dhe së shpejti do të arrijnë në Kosovë.
“Për një kohë, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës dhe zyra ime kanë punuar që të sigurojnë evakuim të sigurt të shtetasve të Kosovës nga Kabuli. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve evropiane, dy nga qytetarët tanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga vendi dhe së shpejti do të kthehen në shtëpi”, shkroi Osmani në rrjetin social Twitter.
Të hënën, më 16 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me tre shtetas të Kosovës në Afganistan, të cilët kanë kërkuar ndihmë që të largohen nga Afganistani.
MPJD po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.
Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar, që prej se talibanët më 15 gusht hynë në Kabul dhe më pas thanë se kanë nën kontroll territorin e Afganistanit.
Kosova po ashtu ka shprehur gatishmërinë që të strehojë afganë, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria e Kosovës, më 16 gusht, ka miratuar vendimin për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të personave që rrezikohen nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Afganët që kanë punuar me entitetet e huaja druajnë për jetën e tyre pas kthimit të talibanëve.
Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.
Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.