Evropianët më të frikësuar nga ndryshimet klimatike sesa terrorizmi

Gati gjysma e evropianëve u frikësohen më shumë ndryshimeve të klimës sesa sulmeve terroriste apo papunësisë, thotë një studim i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB).

Marketing

Rezultatet e studimit u publikuan të enjten, kur edhe Parlamenti Evropian votoi për një “emergjencë të ndryshimeve klimatike”.

Kjo masë më shumë kishte karakter simbolik për të bërë presion që të ndërmerren veprime ndaj ngrohjes globale, para mbajtjes së një samiti të Kombeve të Bashkuara.

Në studimin e EIB-së, janë përfshirë 30.000 të anketuar nga 30 vende, përfshirë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Rezultatet tregojnë se 47% e evropianëve i shohin ndryshimet klimatike si kërcënimin kryesor për jetën e tyre, para papunësisë, migracionit në shkallë të gjërë apo shqetësimeve për terrorizmin.

“Qytetarët evropianë janë shumë të shqetësuar për ndryshimin e klimës dhe ndikimin e saj në jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen”, tha Emma Navarro, nënpresidente e EIB-së, përgjegjëse për veprimet klimatike dhe mjedisin.

“Është interesante, se shumë prej tyre janë optimistë rreth mundësisë për të rikthyer gjendjen e mëparshme. Për fat të keq, shkenca thotë ndryshe”, tha ajo.

Banka Evropiane e Investimeve, është në pronësi të qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe është institucioni më i madh ndërkombëtar i huadhënies publike në botë.

Ky institucion, ndër të tjera, ka për detyrë të financojë investimet që lidhen me ndryshimin e klimës, të cilat janë një përparësi për Komisionin e ri Evropian.

Sipas hulumtimit, shqetësimet për ndryshimin e klimës janë më të larta në Kinë sesa në BE, me 73% të të anketuarve që e shohin atë si kërcënimin më të madh për shoqërinë, krahasuar me 39% në Shtetet e Bashkuara.

Studimi tregoi gjithashtu se 41% e evropianëve të rinj midis moshës 15 dhe 29 vjeç, veçanërisht nga vendet jugore si Spanja, Greqia dhe Franca mendojnë se do të duhet të transferohen në një vend tjetër, për shkak të ndryshimit të klimës.