“Fadil Vokrri ishte krenaria e kombit shqiptarë

Fadil Vokrri ishte dhe do të mbetet sinonim i sportit kosovar, ndërsa me vdekjen e tij, Kosova humbi një legjendë, u tha në seancën përkujtimore në nderim të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Seanca, nën kujdesin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u mbajt në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa filloi me leximin e biografisë së pasur sportive të Fadil Vokrrit, i cili përveç sukseseve në fushën e blertë, ishte i suksesshëm edhe në drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përveç familjes, në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të Kosovës, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, si dhe punonjës sportiv dhe figura publike nga jeta në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se vdekja e Fadil Vokrrit, paraqet një dhimbje të madhe për të gjithë kombin. Ai tha se Fadili ishte sinonim për lajme të mira për Kosovën.

“Ishte sinonim i ndodhive të mira në vendin tonë, të cilat në atë kohë ishin të pakta, sinonim për shpresën në Kosovë e cila po bën historinë në fushën e blertë të sportit më të popullarizuar në botë, futbollit. Parasegjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm kosovar, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja e tij është një humbje kombëtare”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Vokrri u përkiste të gjithëve, dhe se luajti një rol të madh për sportin dhe shtetin e Kosovës.

“Ai u kthye, në mënyrë që edhe një herë t’u japë mbështetje sportistëve, por edhe sportit, dhe jo vetëm futbollistëve dhe Federatës të Futbollit të Kosovës. Falë tij, Kosova u kthye në familjen sportive, në familjen e futbollit, dhe falë tij, Kosova sot gëzon respekt në skenën ndërkombëtare”, tha Haradinaj.

Kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në fjalimin e tij, tha se Vokrri iku pasi anëtarësoi Kosovën në FIFA dhe UEFA. “Ike herët Fadil, por ke lënë gjurmë të pashlyeshme si person me inteligjencë të rrallë, një burrë me karizmë dhe autoritet, si një futbollist i përmasave botërore dhe një udhëheqës dhe shok i padiskutueshëm” tha Hasani.

Fjalime rasti mbajtën edhe sekretari i FFK-së, Erol Salihu dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Më herët një numër i madh qytetarësh dhe punonjës të sportit, pritën në radhë të gjatë për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së futbollit kosovar. Në mesin e atyre që bënë homazhe për të nderuar Fadil Vokrrin ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe një numër i madh figurash publike.

Në orët e pasdites do të bëhet varrimi në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan.

Me një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në shenjë të respektit shtetëror dhe qytetar, flamujt kombëtarë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë ulur në gjysmën e shtizës.
Për ndarjen nga jeta të Vokrrit, mesazhe ngushëllimi në adresë të familjes së tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës kanë dërguar zyrtarë të shumtë kosovarë, partitë politike, personalitete të shumta nga jeta publike e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s.

Kujtojmë se mëngjesin e së shtunës, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare nga një sulm në zemër.

Marketing