Fair-Play godet ashpër në Premier League, Everton i zbriten 10 pikë

Goditje historike në Premier League sa i përket rregullave të Fair Play-t financiar. “Viktima” është Evertoni, që penalizohet duke i hequr 10 pikë në renditje, pasi klubi nuk ka respektuar rregullat për fitimet dhe stabilitetin financiar.

Marketing

Është hera e parë që një sanksion kaq i rëndë i vendoset një klubi anglez, pas përfundimit të kontrolleve që nisën marsin e kaluar dhe ju besuan një komisioni të pavarur, i cili propozoi edhe dënimin.

Skuadra nga Liverpool rrëshqet kështu në vendin e fundit të tabelës, me vetëm 4 pikë, por ka vendosur të ankimojë vendimin e marrë nga qeveria e futbollit anglez.

“Klubi nuk e kupton akuzën e bërë nga Premier League dhe ashpërsia e sanksionit të vendosur nga komisioni nuk pasqyron as në mënyrë të drejtë dhe as të arsyeshme provat e paraqitura. Klubi do të monitorojë me kujdes vendimet e marra në ndonjë rast tjetër të ngjashëm që lidhet me rregullat e Fairplay-t financiar”, thuhet në një reagim të Everton.

Everton kishte regjistruar humbje në bilanc për të pestin vit radhazi, pas një deficiti prej 44.7 milion paund në sezonin 2021-2022. Sipas rregullave, klubet e Premierligës mund të humbasin jo më shumë se 105 milionë në një periudhë trevjeçare dhe Everton kishte pranuar se kishte shkelur rregullat, me bilancin negativ prej 124 milionësh.

Më parë, vetëm dy klube të tjera kanë marrë një ndëshkim në Premier League.

Middlesbrough iu zbritën 3 pikë gjatë sezonit 1996-97, ndërsa Portsmouth iu zbritën 9 pikë në 2010 pasi kaloi në administrim dhe të dy klubet përfunduan me rënie nga kategoria në fund të sezonit.