Fajon e zhgënjyer thellë me BE’në: Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të zemërohen

Tanja Fajon, deputete në Parlamentit Europian dhe raportuese për vizat në këtë institucion ka konfirmuar se Austria, si kryesuese e BE-së, nuk do ta fusë në rend të ditës votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e cilësuar situatën si “frustuese”, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Marketing

Fajon, sipas këtij burimi, ka shfaqur drojën se ky skenar do të përsëritet edhe gjatë kryesimit të ardhshëm nga Rumania, vendi që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ajo ka thënë se asnjë nga vendet që do të kryesojnë gjatë dy vjetëve të ardhshme nuk do të jetë në gjendje ta përfshijë në rend të ditës çështjen e vizave për Kosovën.

Eurodeputetja ka paralajmëruar se bashkë me Eduard Kukanin do të dërgojë një letër në emër të grupit të eurodeputetëve dhe do të kërkojë nga BE që brenda një afati sa më të shkurtër të përmbushë pjesën e vet të premtimit.

“Qytetarët e Kosovës janë me të drejtë të zemëruar”, është shprehur Tanja Fajon, duke folur për ndërlidhjen në Ballkanin Perëndimor në konferencën e organizuar think-tank, Frends of Europe.

“Unë do t’i tregoj me gisht qeveritë e BE-së që nuk janë në gjendje të përmbushin premtimet”, ka thënë ajo.

Ministrat e punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së mblidhen me 6 dhjetor në Bruksel.

Shtyrja e liberalizimit të vizave për kosovarët është konfirmuar dje nga komsionari i BE-së, Johanes Hahn, i cili tha se koha optimale për liberalizimin e vizave është viti 2020./Express