Fakultetet e mjekësisë të universiteteve publike shqiptare e koordinojnë agjendën e tyre shkencore

Një delegacion i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, vizituan Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tyre në këtë universitet ata u pritën në takim nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Arben Gjata, i shoqëruar nga zëvendësrektorët si dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Xheladin Draçini dhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Prof. As. Edit Xhajanka. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës, mes tyre edhe Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në UP.

Marketing

Ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare, me theks të veçantë fakulteteve të shkencave të mjekësisë, ishte tema boshte e këtij takimi sikundër edhe shkëmbimi sistematik i përvojave mes institucioneve të arsimit të lartë. Po ashtu rëndësi e veçantë iu kushtua edhe Konferencës së Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, e cila do të zhvillohet në Universitetin e Tetovës.

Pas këtij takimi, delegacioni i Universitetit të Tetovës, në krye me dekanin, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, zhvilluan një takim miqësor edhe me përfaqësues të Universitetit të Elbasanit dhe Rektorin Prof. Dr. Skender Topi.

Në këtë takim mes tjerash u diskutua rreth organizimit të Konferencës IV Ndërkombëtare , e cila do të mbahet më 15-17 maj 2019 në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, konferencë kjo e organizuar në partneritet me Universitetin e Shkencave Mjekësore të Tiranës, dhe Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Elbasanit nga Republika e Shqipërisë, Universitetin e Barit, Aldo Moro dhe Universitetin e L’Aquila nga Republika e Italisë, Universitetin e Prishtinës nga Republika e Kosovës, dhe Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Sarajevës nga Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Marketing