“Falenderoj Putinin”, Rama thumbon Europën: Falë tij, BE-ja kuptoi që duhet të mbante pranë Ballkanin

Kryeministri Edi Rama ka thumbuar Bashkimin Europian gjatë fjalës së tij në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024, që po mbahet në Pragë.

Marketing

Ndërsa ka falenderuar ironikisht Presidentin rus Vladimir Putin, duke u shprehur se u desh të ndodhte agresioni Rus mbi Ukrainën që BE të kuptonte që duhet të mbante pranë vetës Ballkanin.

“Duhet të falenderoj Putinin sepse falë tij BE e kuptoi që ta mbante pranë Ballkanin Perëndimor. Është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë në mënyrën më kriminale.

Sa i përket pjesës së BE, kishte shumë njerëz në union që besonin aspak në atë çka në mënyrë të përsëritur e thonin si moto që Ballkani duhet të jetë në BE, vendi juaj është në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë që na thonin se vendi ynë është në parajsën tokësore, horizonti ynë është atje, një ditë do mbërrijmë, e sigurisht realiteti goditi fort.

Lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status quon dhe BE nisi të ndërgjegjësohej gjithmonë e më shumë se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për sigurinë e Europës. Ursula von der Layen luajti rol thelbësor për këtë duke qënë se ajo që prej ditës së parë u përpoq të riformësonte mesazhin që përcillej”,-tha Rama.