Nuk ka mundësi ligjore që presidenti Gjorge Ivanov t’i falë të dënuarit për “27 prillin”, t cilët deri tek ai kanë dorëzuar kërkesa, thonë ekspertët juridikë. Në mënyrë shtesë, sipas tyre, një opsion i tillë është i pamundur edhe për shkak të periudhës zgjedhore.
Ish-kryetari i Gjykatës supreme, Dane Iliev dhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska janë të mendimit se juridikisht është e pamundur që presidenti Ivanov t’i falë të dënuarit për “27 prillin” siç këtë e bëri në vitin 2016 për gjithsej 56 persona të cilët ishin të përfshirë me hetimet e Prokurorisë Speciale Publike.
Iliev në një deklaratë për MIA-n thotë se tani nuk ka mundësi ligjore për falje, sepse kjo është procedurë, e cila ka pësuar ndryshime ligjore, ndërsa edhe periudha e zgjedhjeve këtë nuk ia lejon.
“Por tek ne e dini, ligji nuk respektohet aq shumë, mund të jetë dhe kjo. Përndryshe, juridikisht mendoj se nuk ka mundësi për një punë të tillë, sepse kjo do të ketë keqpërdorim të të drejtës dhe të autorizimeve të tij si president”, deklaroi Iliev.
Sqaron se procedura për falje do të duhet të shkojë përmes Ministrisë së Drejtësisë, individualisht për çdo kërkesë, për dallim nda amnistia e cila sillet me ligj nga Parlamenti.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Treneska – Deskoska thekson se procedura për falje mund të zhvillohet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, prej ku, siç thonë deri më tani nuk kanë arritur kërkesa për faljen e personave për ngjarjet në Kuvend nga 27 prilli i vitit 2017.
Deskoska thekson se nuk ka mundësi ligjore të zhvillohet procedurë për falje nga ana e presidentit të shtetit.
Sqaron se procedura për falje mund të zhvillohet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh se nuk ka bazë ligjore për falje pa procedurë paraprake në këtë Ministri.
“Është fshirë neni 11 nga Ligji për falje i cili paraprakisht parashikonte një procedurë të tillë nga ana e presidentit, ndërsa edhe me vendimin heqës të Gjykatës kushtetuese në vitin 2016 ai nen nuk është ‘ringjallur’, gjegjësisht nuk ekziston në sistemin juridik të shtetit”, sqaron ministrja.
Pengesa e dytë, siç shton Deskoska, rrjedh nga fakti që janë shpallur zgjedhje presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të jepen falje.
“Ministria e Drejtësisë pasi janë shpallur zgjedhjet nuk përcjell kurrfarë lëndë për falje deri në Kabinetin e presidentit të shtetit. Në atë moment kur Komisioni Shtetëror Zgjedhor zyrtarisht do të shpall se zgjedhjet kanë përfunduar do të mund të përcillen kërkesa për falje deri tek Kabineti i presidentit”, thotë ministrja e Drejtësisë.
Kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se falje nga presidenti Gjorge Ivanov nuk pritet, sepse kjo nuk ekziston më si mundësi ligjore.
“Me dhënien e fundit të faljes u konfirmua mosekzistimi i anëtarëve adekuatë të cilët nuk ekzistojnë në ligjin që presidenti ta shfrytëzojë këtë të drejtë”, theksoi Zaev.
Deri tek kabineti i presidentit të shtetit, siç konfirmuan për MIA-n, janë dorëzuar disa kërkesa për falje të personave të dënuar për rastin “27 prilli”, ndërsa kërkesa e fundit ka arritur të premten. Prej atje theksohen se kush nga të dënuarit kanë kërkuar falje.
Për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, më 15 mars të këtij viti në dënim të përgjithshëm me burg prej 211 vitesh janë dënuar 16 persona.
Dënim më të lartë prej 18 viteve ka marrë ish-ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov.
Mandati i presidentit aktual, Gjorge Ivanov skadon më 12 maj të këtij viti. Pasardhësi i tij duhet të vijë pas zgjedhjeve presidenciale të cilat janë caktuar më 21 prill dhe 5 maj. fb/