Nga nëntori 2012 në nëntorin 2018, shqiponja e çeliktë në hyrje të kryeqytetit shqiptar, në Tiranë, me madhësi gjashtë metra dhe me bazament katër metra, bëri një moshë gjashtëvjeçare, kur sytë e shqiptarëve u mësuan me këtë monument që u ngrit në 100-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Këtë objekt simbol, si dihet, nga dashuria për Shqipërinë, nga dashuria për kombin, mga krenaria për historinë kombëtare, nuk e sponzorizoi shteti shqiptar, por një shqiptar jashtë Shqipërisë administrative, një shqiptar me emrin Lazim Destani nga fondet e familjes së tij. Shqiponja, me moshë gjashtëvjeçare, u hoq si ta kishte marrë shpirtin e të fluturonte në pafundësi qiellore, ndërkohë që duart e njerëzve e shmangën diku, pa bërë zë, pa u dhënë përgjëgjësi shqiptarëve, e as sponzorizuesit të saj Lazim Destanit, që shkriu pjesë të pasurisë së tij për një krenari kombëtare. Heqja e shqiponjës, nga Sheshi i Shqiponjës, si filluan ta quajnë spontanisht tiranasit, u përcoll me reagime, në mesin e të cilëve, nuk mbeti anash as reagimi i kryeministrit Edi Rama. Madje ai, me shqiponjën, u tall me gjuhë arrogante, që nuk u mor vesh, a kishte konflikt me shqiponjën apo përmes saj, me opozitën e tashme që kur ishte në pushtet, i bëri vend vendosjes së saj.
Forma e shqiponjës, si dihet, ishte e njëjtë me dykrenaren në Flamur, me të cilën janë mësuar sytë e shqiptarëve tash një shekull. Por kryeminstri vënien e saj në piedestal, e quajti vulgaritet.Nuk u la anash të mos përmendet edhe leku në polemikën Rama-Basha! Po leku i njeriut që nuk fitoi asgjë por vetëm investoi, Lazim Destanit,ku mbeti. Për ta derdhur shqiponjën në çelik, Lazim Destani nuk i dha as një mijë, as dhjetë mijë, as njëqind mijë euro por shumë më shumë dhe nuk foli gjë. Ai përmes lekut dhuroi miliona zemra dashuri të familjes së vet dhe të shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë që shfaqjen e shqiponjës në trojet e veta e paguan edhe me kokë. A i shpjegoi kush atij se ç’u bë me shqiponjën ose çka do të bëhet me të?
A u hoq shqiponja që të lirohet hapësira për ndërtimin e rrethrrotullimit të ri apo të për shkak të „vulgaritetit“ të saj si objekt, ose a do të rikthehet aty, apo do të shkojë diku tjetër askush nuk foli!Shqipërisë dhe shqiptarëve, që shtrihen mes Lindjes dhe Perëndimit, historikisht iu rrënuan objekte dhe gurët e gdhendur të arkitekturës së vjetër iu poqën për t’u shndërruar në gëlqere, për t’iu fshirë kështu kujtesa historike dhe identitare nga armiqtë e shumtë. A mos po e ndjekin këtë ritual të pushtuesve të huaj edhe pushtetarët e sotëm, që nën petkun e politikës konfliktuale, t’i marrin në ndihmë edhe objektet dhe simbolet kombëtare, madje edhe duke i rrënuar ato?! Nuk është çudi që në atë grusht Shqipëri kontestohen edhe heronj kombëtarë dhe simbole kombëtare? A nuk e shihni si kontestohet Skënderbeu? Tash edhe shqiponja?! Ndoshta nesër do të kontestohen edhe shqiptarët për inate politike? Mjerisht!botapress